Çmenduria m’u kthye.
Në kokë e ndjej gjëmimin.
Ndër vena më kallet.
Katakomb ku humb,
e nyjë që më mbetet në grykë.
Tambure me tamtame.
Të thyera gotat e shpirtit,
me to s’mund të ngrej dolli.
Memecëri,
në fund të honit veç jehona.
Me duar i rrëmbej,
e përqafoj haluçinacionet.
Ndërkallen, si gjarpërinj të verbër,
me njëra tjetrën rrugët e mendjes,
mendimet vrapojnë të azdisura e përplasen në kryqëzime.
Aksidente vdekjeprurëse, këto.
Kocka mbi skafandër...
Pështymë e pa tharë në trotuaret,
me pllaka të bezdisshme.
Tentakula më pushton, të parën zemrën
...
Duhet të kisha vdekur prej kohësh,
se është kancerogjene.
E ndjej të më ngërthejë të më sëmbojë.
Është qeliza ime e sëmurë
E vetmja pikë e dobët...
I vetmi gjunjëzim, poshtërim e kult hipokrit
Mbrëmë e pashë...
Po po, çmendurin
E ka një fytyrë, një pamje ndjellakeqe
Është shpërfytyrim përmes ëndrash,
Shpërfytyrim ëndrrash.
Nuk më lejon të vdes,
Përndryshe...
Çalaman i ngjitem të përpjetës thepisur,
Me duar godas kokën.
E ka një fytyrë.
Imazh a mirazh shkretëtire.
Duhet ta nxjerr prej aty...
Ta plas për tokë.
Ta shkel me këmbë.
Tamtamet dhe gërvishtja mbi xham
Vijnë prej saj...
Jo s’mund të fle
Do dal të kërcej si indian rrugëve
Me shpres që ta shkul, ta lë, braktis, vërtis e rinis
Po, po, t’ia Rinis...agimesh të tjera...
Më të kuqerremta, më të zjarrta,
pa hipokrizi dhe pasione të rrema.
Pa tamtame, e makthe, pa çmenduri,
që ngjitet si rrodhe.
2005-08-22
Në rrugë...
Subscribe to:
Posts (Atom)