Është e premte herët në mëngjes dhe në rrugët e Tiranës nuk ka trafik që të na pengojë për t’i dhënë gaz makinës drejt Juglindjes së vendit. Udhëtimi andej-këndej është diçka që na ka pëlqyer gjithmonë. Mund të shohim, të provojmë dhe të ndjejmë diçka të re.
Kufiri ynë këtë herë është Gorica, madje më saktë, trau i doganës që ndan Shqipërinë me Maqedoninë, Liqenasin e këtejshëm buzë anës perëndimore të Prespës me atë në anën lindore të saj. Rreth 250 kilometra nga kryeqyteti, përmes 6 qyteteve. Sigurisht në një ditë është e vështirë të ndalësh gjithandej dhe të shqyrtosh gjithçka, kështu që ne përciptazi i vjedhim vendit vetëm disa pamje që na zënë sytë, ashtu siç na i zuri aty nga ora 06:00 e mëngjesit tymi i Metalurgjikut dhe i gjithçkaje tjetër, që e kishte kthyer Elbasanin në një qytet fantazmë.
“Mos është ndonjë liqen ai?”, - thotë një nga kolegët që s’i kishte rënë herë tjetër rruga andej dhe ne të vetëdijshëm që ndodhemi mu mbi Elbasan e shohim pak të çuditur. Jo, jo, ai nuk po bënte shaka. Në fakt Skampa i dikurshëm as që ekzistonte. Prej kodrave të Krrabës, madje mu aty ku qëndron kryqi, ne të gjithë mund të betoheshim se po të hidheshe tëposhtë mund të bije në një humnerë mjegulle.
Dhe ne që kërkonim lajm, domethënë sherr, sepse siç themi shpesh “lajmi i keq është më i mirë”. Po liqeni që shtrihet sa gjerë e gjatë, as që do t’ia dijë për këtë, e për besë nuk ngre as edhe një valë e jo më dallgë për cunami, të cilat të mund t’i mbulonim ekskluzivisht.
Burri tullac parkon para një vile trekatëshe, e gjitha e bardhë, dhe vazhdon të na shohë i habitur. Si për ta bindur që jemi njerëz, i thërrasim dhe i themi që po kërkojmë një kafe. “Këtu është një”, thotë ai dhe na bën me dorë nga hyrja e vilës. Të gjithë zëmë një vend pranë dritares, prej nga mund të shohim pemët me gjethe të rëna të mbira mu buzë liqenit, ku një tufë delesh janë lëshuar për të pirë ujë.
“Cila Prespë është kjo, e madhja apo jo?”, pyesim jo për ta mësuar, por sa për t’u futur në muhabet, një burrë të ulur aty ngjitur. “E vogla”, - thotë ai shkurt dhe kur ne mohojmë, pohon së dyti: “E vogla, e di unë, se e madhja është në Maqedoni.” E çohet na tregon me dorë andej nga është kufiri. M’u aty është një ishulli i madh, aty kufiri ndahet më tresh. Një copë e liqenit i takon Maqedonisë, një copë tjetër Greqisë dhe pjesa perëndimore i mbetet Shqipërisë.
Ne qeshim nën zë me njohuritë gjeografike të atij burri, por edhe me gruan që bën beton pak metra më tutje duke situr rërë me lopata, mbi një shoshë të stisur me rrjetat e një krevati të prishur. Ku janë burrat? - pyesim kamerierin dhe ai na thotë se ata ikin në mëngjes për të punuar në Manastir dhe kthehen vetëm në mbrëmje, kështu punët e kësaj ane të kufirit i bëjnë gratë. Ai është një mesoburrë topolak, që na bën 5 minuta temena për verën e vendit, duke na sharë atë industrialen, të cilën e shet po vetë. Jo për rastësi, na ngjan me hanxhinjtë e vjetër, madje edhe vila ku janë të ndera rrobat e të zotëve duket gjysmë shtëpi e gjysmë han. Sikur të mos kishte atë akuariumin me peshq, ngjyra që stonojnë me krapushkën (krap i vogël) që na kanë sjellë të skuqur në pjatë, ne përnjëmend mund të ishim donkishotë të nisur për aventura...
Dielli vazhdon të thyhet përmbi Prespë, por kësaj radhe ka ndryshuar krah dhe hijet zgjaten, duke afruar muzgun. Ne, kanë filluar të na merren këmbët nga vera, e ndajmë mendjen që duhet të nisemi sërish. Pikërisht atëherë veshkat zënë të ankohen. Ah sikur kjo rruga të kishte qenë më e mirë, do të kishim pasur mundësi të shihnim natyrën pa qenë të detyruar të hidhemi përpjetë pas çdo grope. Pa u nisur mirë përplasemi me dy të rinj, që janë nisur për gjah, që duket se këtej është i bollshëm, edhe pse i ndaluar, të paktën nga tabelat ku shfaqen një derr, një rosë e një sorkadhe, që luten të mos i gjuajnë, duke premtuar se do të zbukurojnë natyrën.
Makina këtë herë çan përpara më e sigurt, edhe shoferi është më i sigurt, tani që ia doli mbanë të na çonte në kufi, pa ditur cilin krah të merrte në dy udhëkryqe në pyll. Ka të drejtë të mburret që zgjodhi drejt e me intuitë. Jemi të bindur që jo të gjithë kanë fatin tonë, e në mos marrshin hartë me vete, do të ngatërrohen rëndë në atë që vendasit e quajnë rrugë “dheri” dhe që nuk ka kurrfarë tabele orientuese.
Kur dalim në asfalt, makina fluturon. Edhe asaj ia ka ënda të ecë në një rrugë më të mirë, ndërkohë në anë vazhdon të shihet Prespa dhe fshatrat buzë saj, të gjithë me çati të kuqe. Aty rreth orës 15:00 kemi sosur sërish në Pogradec. Por këtë herë e kemi ndarë mendjen të ndalojmë pak më gjatë, edhe pse shefi na kërkonte urgjent në Tiranë, ne duhej të shihnim Drilonin. Po pse e quajmë Drilon? Ndoshta ngaqë ka aq shumë dritë, sa mund të ngatërrosh qiellin me ujin. Ndoshta ngaqë shpesh aty gjen mjellma të bardha, që shpupurisin njëra-tjetrën dhe bëjnë dashuri. Apo për shkak të lisave ndanë rrugës, që formojnë një korridor të gjatë drite. Driloni është krejtësisht i shkretë. Vetëm një-dy çifte të ulura në një restorant aty pranë dhe tre punëtorë që skalisin gur të bardhë, me të cilët s’dihet ç’do të ndërtojnë. Po hyre këtu, duhet të marrësh frymë thellë dhe pastaj ta mbash gjatë, në mënyrë që të dëgjosh gjithë muzikën e natyrës, që formohet nga gugu-të e një tufe të madhe pëllumbash krejtësisht miqësorë dhe gaga-të e rosave në kanale me ujë të kulluar dhe fëshfërima e erës në pemët me gjethe në të rënë. Për një kohë vrapojmë sa andej-këndej, duke e mbajtur gojën hapur para gjithçkaje. Para pemëve që pasqyrohen deri thellë në ujërat e kaltër, të cilët nga ana e tyre krijojnë pafundësisht rrathë prej gjetheve që bien duke krijuar nën ujë një si telajo krejt bojëra së bashku me dritën e qashtër të diellit, që ndërsa depërton mes gjethesh, formon vende-vende ca si shufra të bardha, që përpiqen pafundësisht të shpojnë ujin, në të cilin përthyhen për t’u shndërruar në pasqyrime diejsh. Duket se e gjitha është bërë kështu për të shtangur udhëtarët e shkretë, që janë me vonesë për të zënë kushedi cilën punë.
Ikim duke mbajtur kokën prapa, ndërsa pëllumbat na përshëndesin duke bërë gugu e duke rrahur krahët. Ohri vazhdon të shkëlqejë dhe muzgu i ka dhënë të tjera ngjyra, prej të kuqes me të cilën janë lustruar majat e maleve, deri te manushaqja herë e zbehtë, herë e errët që ka mbuluar liqenin.
Makina ecën shpejt dhe të themi të drejtën, nuk e dimë sa rregulla qarkullimi kemi thyer, për fatin tonë ende ekzistojnë shoferë që ta bëjnë “fap-fap” me sinjalet e makinës për të na thënë se pas kthesës është policia. Kështu, shpëtojmë pa gjoba. Ndërkohë, shfaqet Përrenjasi, minierat që flenë prej vitesh dhe qyteti që as bie në sy si i tillë. Më tej Librazhdi, pak më i zhurmshëm, me lokale periferike, mes rrapishtave hijerënda që ndjellin gjithmonë teshtima të mëdha, ku njerëzit duket se nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veç të enden rrugëve, në atë që e quajnë xhiro. E duke qenë se është një nga vendet më të varfra dhe me shumë të papunë, sigurisht që kanë të drejtë të bredhin duke u shkundur herë-herë, pa e ditur se neve na duhet të shpejtojmë.
Telefoni bie sërish, kur jemi duke hyrë në Elbasan dhe ne gënjejmë duke thënë se jemi në Kërrabë. Fatmirësisht, nata ka rënë bindshëm, është shumë errët dhe ne nuk gjejmë më atë liqenin e tymit të helmët që lëshojnë oxhaqet industriale. Kështu, kalojmë pa frikë, duke bërë sikur e kemi harruar çfarë pamë në mëngjes.
Kthesat e Kërrabës zhduken njëra pas tjetrës, por tani jemi aq të lodhur, saqë nuk dimë se ku ndodhemi, deri kur një ekskavator, që është duke rregulluar një copëz rruge, na detyron të ndalemi. Jemi thuajse pranë Tiranës dhe kujtohemi që prej Gorice e deri në kryeqytet kemi parë nja dhjetë si ky. Të bezdisshëm, se të pengojnë udhëtimin sipas qejfit, por të lënë shijen e mirë dhe të ngjallin njëfarë shprese, se kur të kalojmë herë tjetër, veshkat do të ankohen më pak, kurse në rrugë do të ketë më pak gropa.
Tiranën e lamë në gjumë dhe e gjejmë në kulmit e “qejfit”. Bori pafund, zhurmë e pafundme motorësh. Në fund, karrigia dhe kompjuteri në vendin e punës, ku mund të shohim pafundësisht fotot që kemi shkrepur, të cilat na kujtojnë të tjera që i kemi bërë me mendje dhe në fund ... Ishte një ditë e bukur anës liqeneve, qofshin këta edhe paradoksalë e të helmët si ai i Elbasanit.
(Botuar në Standard 18/11/2006)
2007-08-07
Anës Liqejve, nga Tirana në Goricë
Nga Krasta Krau at 4:37 MD
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
6 Komente:
Sa trishtim, gjithë ajo mrekulli e natyrës të mos shfrytëzohet/shijohet nga një turizëm i organizuar.
Krasta, ti je poet. Seriozisht. S'e kam bere asnjehere ate rruge, po tani me duket se po dhe me pelqeu shume, sidomos kthimi.
Pershendjetje!
Krasta,
te ky linku e kam mesuar si behet. Po pate pyetje, je i mirepritur.
Pershendetje!
A.
bëni shyqyr që janë...të humbura!
Pershkrimi yt me beri te mendoj sikur po udhetoja une ne ato ane. Rrofsh se me solle me prane atdheut:))
thnks
Post a Comment