Këmbëkryq rri mbi gurët e myshkur të pagëzuar,
prej kush e di kujt dhimbje lindjeje stërgjyshore,
e pres me ta, kohë kreshnikësh
që rroken krah më krah me majat,
e kërcejnë në ritme të çmendura daullesh.
Kohë që fluturojnë në piskama shqipesh...
Këmbëkryq...
mbi shkëmbinj, varri i kush e di kujt qytetit stërgjyshorë
të rrafshuar me tokën,
dua të dëgjoj një këngë të ngeshme rapsodësh,
ndërsa fërshëllej si tel i çakorduar lahute.
Iso i bën era, që shfryn epsh ndër gjethe ahishtash,
heshtjes së një çiftelie vejane,
e as Muji as Omeri s’ngrihen t’i bien.
Ndiej veç melodi të trishta bulkthash.
Këmbëkryq...
mbi rrënoja, pragu i kush e di kujt kulle stërgjyshore
të shembur ploje,
dua të dëgjoj një ninullë nënëlokesh,
mbyll sytë, po kurrkund si gjej ëndrrat.
Iso i bën era, që përplas duf ndër shkrepa majash,
zbrazëtisë së një djepi n’anë të oxhakut,
as Ajkuna as Rozafa s’ngrihen për ta tundur.
Ndiej veç tek qajnë çikët e një çatie të braktisur.
Këmbëkryq...
mbi urna të shuara, vatra e kush e di kujt konaku stërgjyshorë,
a Troje të djegur,
dua të dëgjoj një këngë të përvajshme rapsodësh,
e belbëzoj vargje të pakuptimta prej poeti të çmendur.
Iso u bën era, që dalldiset në vallëzim të marrë pas reve,
lëndinave të mbetura shkret pa shtojzovalle,
as prej krismave të ortekëve që ndër male lënë varra, s’zgjohen Orët.
Ndiej veç, tek përtueshëm zhurmojnë teposhtë krojet.
Këmbëkryq rri mbi gurët e myshkur të pagëzuar,
prej kush e di kujt dhimbje lindjeje stërgjyshore,
e pres me ta sërish kohë kreshnikësh,
që rroken krah më krah me malet,
e kërcejnë në ritme të çmendura daullesh...
Kohë burrash, që marrin fuqi në gjinj Zanash.
2007-10-28
Mbi rrënoja
Nga Krasta Krau at 10:35 MD
Subscribe to:
Post Comments (Atom)

6 Komente:
"e pres me ta sërish kohë kreshnikësh,
që rroken krah më krah me malet,"
Grande Krasta!
Më bëre të ndihem i ulur këmbëkryq dhe unë mbi ata shkëmbinj të myshkur...
Kraste, hajde t'ja marrim nje kenge me lahute ose me cifteli per t'i dhene pak me jete ketyre mureve te lashta te kalase, dhe per t'i treguar qe ne jemi ketu dhe s'kemi harruar historine e trimave dhe bijve shqiptare.
Shume e bukur Kraste!
kjo pjesa eshte shume e bukur...bravo!!!
pls visitoni dhe blogun tim
http://mel-ard.blogspot.com/
shume e bukur Kraste! edhe fotoja gjitahshtu!
kraste
vertete rrenqethese!!!
vertete rrenqethese!!!
vertete rrenqethese!!!
shpesh leme komente ndoshta edhe per te gjetur nje shkak.kjo poezi me "shkundi",eshte shkaku vete.
tung!!!
Post a Comment