"Vallë a nuk kam shkruar gjithmonë të vërtetën në librat e mi?
Tani ju po më mbani si një gënjeshtar!
Unë ju urdhëroj.
Digjmëni!"

2008-04-02

Të hapen letrat

Isha duke bërë të përditshmen time. Një faqe e bardhë uordi në kompjuter që duhej nxirë dhe të zeza kishte boll rreth e rrotull. Dhe ashtu siç punojmë rëndom, tv në sfond transmetonte parlament, se edhe aty duhej mbajtur një vesh se ça nuk del nga goja e atyre njerëzve. Në pjesën më të madhe të bën të shqyhesh gazit ose të shkulësh flokët, por ajo që del drejtpërdrejt prej kutisë së zezë së tv, herë herë është edhe lajm…Dmth bukë e përditshme, për ne shkarravitësit… Ndodhi pra kshu që të hënën, aty nga ora e darkës për njerëzit e tjerë, ndiqja si kaherë parlamentin…
Dhe pikërisht në një moment, ndërsa irritohesh për njerëz që llapin pa pikë kompetencë për punë që as i dinë e as marrin mundimin t’i mësojnë, në mes të atij allishverishi mbi kufomat, që duhet thënë se është i njëjtë prej vitesh (97, 98, 2004, 2008), ku njëra palë resht çakejtë (opozitën) dhe tjetra tregon kopenë e ujqërve (pozitën), u dëgjua edhe zëri i kryetares (i perifrazuar):
“Ato llogari do i shohim për të gjithë. Letrat do hapen të të gjithëve, mos u mërzitni, të të gjithëve, të ish-kryeministrave, të ish-ministrave, edhe të kryetarit tuaj të partisë, edhe për lejet e pallatit, ua kemi falur ato 300 mijë euro që merr për pallatet. Do i hapim ne letrat, me leje ndërtimi, me tendera me ish-kryeministra, me të gjithë”…
Nuk ishte hera e parë që nervat më bëheshin tel… Ose të jem i qartë, nuk ka bir nëne që nuk gjen në një seancë plenare një fjali që të mos ja bëjë mishin me puçkurriza, por jo për të gjitha ja vlen të shkruash dhe të nxish, sepse ndoshta jo të gjitha nxijnë si kjo thënie e kryetares (ca thonë folëses) së parlamentit, kur ende vazhdon numërimi i kufomave në Gërdec… Kështu që vetvetiu më dolën me të bërtitur fjalët: “Po ku mutin ishe 2 vjet më parë (1 vit e gjysmë, 1 vit, 6 muaj, 10 ditë), para Gërdecit dhe nuk i hape ato letra”…
Po pra kështu, ku ishte kryetarja alias folësja e parlamentit shqiptar? Përse nuk u hapën letrat (e të gjithëve) para se të shpërthente Gërdeci dhe në fund të kishim shpëtuar nga tragjedia 25 të vdekurit (deri tani) të cilëve unë ju dëgjoj (ty dhe të tjerët) t’i merrni në gojë e t’i përmendi sot sikur t’iu vinte keq për ta…. Ku ishit kryetare?
Si keni fytyrë sot të më thoni se keni ditur dhe ja keni falur kryetarit të opozitës 300 mijë eurot e bakshishit që marrka ky për çdo leje? A keni ju minimalisht sot përgjegjësinë që të jepni dorëheqjen, të lëshoni imunitetit, sepse duke qenë në dijeni për një krim (unë po i marr të shenjta fjalët që thoni) nuk e keni denoncuar atë, qoftë edhe si qytetare e thjeshtë?!
Unë e kuptoj dhe e mbaj ndërmend që ju cilësoheni “e papërgjshme ligjërisht për ç’ka thoni në parlament”, por unë besoj se duke qenë njeri i ndershëm (ashtu siç medoemos pretendoni se jeni), ju zonjë duhet të kishit trokitur, kishit shqyer dyert e prokurorisë, ose të kishit iniciuar dhe ngritur 100 komisione parlamentare për të nxjerrë në shesh të vërtetën… Por ju nuk e keni bërë… Kur ju nuk e keni bërë këtë për kryetarin e opozitës që e dinit mirë sa bakshishe merr për një leje pallati, si mund të besoj unë që ju do ta bënit/ bëni këtë për një tuajin…Si mund tani të besoj se ju nuk e dinit që aksh ministër i qeverisë, merrte aksh sasi parash, për aksh tender demolimi predhash dhe që këto i mblidhte diku në periferi të Tiranës, prej nga edhe sollën 25 të vdekur e kund më shumë se 100 të gjymtuar për jetë, dhe heshtët?!
Kur ju heshtni për 300 mijë eurot e kundërshtarit, kur nuk ndërmerrni qoftë edhe një hetim formal për t’i denoncuar ato, si mundem unë të besoj që ju nuk heshtni edhe për krime të tjera edhe më monstruoze…
Por nejse, tani u qetësova, se fundit fare nuk je as e para as e fundit që shqipton fjalën magjike “Të hapen letrat”… Po pra prej 17 vjetësh fillimisht si fëmijë, si i ri, e më vonë për punë të punës, unë rri e përgjoj pas kutisë së zezë apo drejtpërdrejt nga Gërdecët, orën kur do të hapen letrat… Dhe tani “po ju besoj”… Po pres të hapen letrat. Gjithë letrat që deri më tani ju dhe të tjerët i përdorni vetëm si shantazhe të ulta nga foltoret, prej ku quheni të papërgjeshëm… Letrat për ata që i deklamoni rrugëve si kryehajdutë dhe më pas u jepni dorën dhe i quani aleatë…
Në kaq vite përgjim dhe durim unë kam pritur të hapen letrat dhe sot më shumë se kurrë, dua që ato të jenë të gjitha në shesh… Të hapen letrat për: Ish-sigurimsat dhe njerëzit që çuan në burg e në vdekje njerëz dhe ky të mos jetë më shantazh teserash. Për gjithë dosjet e përfolura të korrupsionit madhorë për të cilat askush prej jush në atë sallë nuk është përgjigjur para drejtësisë. Për gjithë dosjet e krimeve në të cilat është fajtorë shteti (Selenicë, Bulqizë, 9 janar, shkolla teknike…). Për vitin 1997, të hapen letrat dhe të zhvlerësohet amnistia e 9 marsit që ju dha shkaktarëve të vrasjeve dhe gjakderdhjeve në të gjithë vendin. Për firmat piramidale. Dhe meqë i erdhi radha, të hapen letrat e Gërdecit… Që sot e tutje motoja ime është: Të hapen letrat… Sepse unë dua t’i shoh të zgërlaqur pas hekurave shkaktarët e Gërdecëve…

***
Sigurisht e di që nuk do ta bëni këtë (Madje e keni thënë në vigjilje të 1 prillit)… E di edhe që do të vazhdoj të përgjoj dhe të hidhem përpjetë sa herë të përmendni Gërdecët, se që ta dini (se do të thoni që nuk e dinit), Gërdec është dhe një pallat i ndërtuar me leje që përftohen nga bakshishet dhe që nesër (qoftë larg) mund të jetë po kaq një gërmadhë mortore… Sidoqoftë këtë herë, kam vendosur të revoltohem… Në mënyrë patetike dhe monstruoze, sa herë të kem mundësi do t’ju kujtoj që keni premtuar të hapen letrat…

3 Komente:

tropoja said...

Ore Kraste, shkrimi eshte interesant, edhe revoltimi eshte i kuptueshem, t`tana jane te kuptueshme, po s`di pse me ke zhgenjy....:(....prisja me lexu naj reportazh t`papam nga zonat e humuna te memedheut me ndonje foto te papame deri n`momentin e klikimit. Tung!

N.Ago said...

Miku im, edhe unë ndjek punimet e Parlamentit të vendit ku punoj po, si ai i vendit tonë, nuk duhet të ketë në rruzullin tokësor.
Nga njëra anë, ju quaj me fat ju kolegëve që bëni punën atje.Asnjëherë nuk ju kap rutina! :)
Fundjavë të këndshme!

tropoja said...

duku njehere andej nga qoshja ime!

Video Bar

Loading...