"Vallë a nuk kam shkruar gjithmonë të vërtetën në librat e mi?
Tani ju po më mbani si një gënjeshtar!
Unë ju urdhëroj.
Digjmëni!"

2009-04-27

Shqipja e Himarës dhe tabelat e Bollanos

Reportazh me dy pjesë botuar në korrieri, 22 dhe 26 prill

Në Himarë gjejmë të varur 10 flamuj në ballkone. Gjashtë janë me shqiponjë të zezë në fushë të kuqe, dy janë të BE-së, një i Partisë Demokratike dhe një i shtetit fqinj, i varur në zyrat e PBDNJ-së. Nga të 10 flamujt, ata të dy në bashkinë e qytetit, një shqiptar dhe një i BE-së, janë lidhur fort pas shtyllës: të vetmit që nuk valëviten. Vasil Bollano, kryetari i sapodënuar nga Gjykata e Vlorës me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndodhej në mbledhje rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur ne u gjendëm para zyrës së tij. Në telefon u përgjigj sekretarja, që na njoftoi se flisnim në moment të papërshtatshëm. Kështu u detyruam të hiqnim dorë hëpërhë nga takimi me të dhe të vardiseshim rrugëve të qytetit gjysmë të shkretë, që për të të shoqëruar hapat, të fal vetëm muzikën e valëve të detit që përplasen me shushurimë në breg.

Një kullë e vogël Babeli...

Bunkeret vigjilojne

E përzgjedhur si pikë e nxehtë sherri mes Tiranës dhe Athinës, e ndonjëherë vetëm si pikë sherri mes Tiranës dhe Tiranës, Himara që duhet teorikisht të plotësojë kushtet e një fuçie që shpërthen, sa herë kryeqendrat shtypin butonin, ishte dje e qetë. Megjithatë, dënimi i kryetarit të bashkisë ishte temë bisede në kafenetë e saj buzë detit. Pjesa më e madhe besojnë se Bollano nuk do të dënohet, sidomos si është mbështetur nga kryeministri Sali Berisha.  Ndoshta është vetëm qetësi e rreme, që pret çastin të shpërthejë, por askush nuk mund ta thotë këtë, derisa i vetmi zhvillim i zhurmshëm ishte grumbullimi në dyert e bashkisë i hallexhinjve që prisnin karta identiteti e u mungonte interneti. I pari që takojmë është një djalë nga Qeparoi, që ndërsa thith cigaren, bën ecejake në dyert e godinës dykatëshe të ngjyer me një të kaltër të dalë boje. “Të marrin edhe këta karta identiteti, që të mësojnë se janë shqiptarë”, - thotë ai dhe qesh me shpoti, duke parë nga një grup që flet greqisht pak metra më tutje. “Ne jemi ata që nuk e duam kryetarin e bashkisë. Te ne flitet vetëm shqip”, -shton i riu. Në fakt, ajo që e çon Bollanon drejt qelisë, është pikërisht gjuha. Gjykata thotë se ai shkuli pa të drejtë tabelat shqip të rrugës nga Llogoraja në Himarë, që t’i zëvendësonte ato me tabela të tjera në greqisht, me pretendimin se ishte në zonë minoritare. Teorikisht, të gjitha mosmarrëveshjet në këtë copë të mrekullueshme bregdeti lindin nga gjuha. Dhe qe pikërisht gjuha, ajo që na bëri përshtypje sapo u ndodhëm në qytezën, e cila po të mos kishte detin dhe atë copë të mrekullueshme natyre me të cilën është bekuar, mund të ishte e njëjtë me Fushë-Arrëzin. Pak pallate të ulëta, godina ish-institucionesh apo shërbimesh të rrënuara, rrugë të paasfaltuara dhe njerëz që përshëndesin këdo që kalon. Si kishim dëgjuar gjysma dialogësh në greqisht dhe shqip në dyert e bashkisë, vendosëm në një moment të bëheshim më të vëmendshëm ndaj saj. Si u gjendëm në kioskën që shet gazeta buzë plazhit dhe po diskutonim me një kalimtar të rastit për punë të kryetarit, një zonjë, si parkoi makinën, një fuoristradë me targa greke, pyeti shitësen në shqip: “A erdhi gazeta?” Aty për aty, shitësja ia ktheu në greqisht. Fjalinë e saj nuk e kuptuam në të vërtetë, por ne e dinim që gazetat nuk kishin ardhur ende. E interesuara diç komunikoi me një të moshuar që e shoqëronte, por ne mundëm të kuptonim vetëm pjesën shqip të bisedës: “Do na njoftojnë kur të vijnë më vonë”. Me këtë “babel” të vogël që simbolizohej në kioskë, mund vetëm të vije buzët në gaz. Sidoqoftë, të mbetur pezull në një zonë dygjuhëshe, ku ne kuptonim vetëm njërën, pyetëm shitësen se përse nuk ishte përgjigjur shqip. Stërhollimi i saj ishte po aq i çuditshëm. Në fakt, ajo vetë nuk ishte nga Himara, por e kishte mësuar greqishten kur kishte ardhur këtu dhe meqë himarjotët flisnin greqisht, asaj i pëlqente ta praktikonte. “E ç’të keqe ka?” - pyet ajo. “Kurrfarë?” - do i përgjigjej gjithkush. Ne në fakt nuk i kthyem më tepër se një buzëqeshje, sepse ndërkohë kërkonim shpjegim se përse në librarinë e saj dhe të të shoqit, ky nga Himara, të tetë librat dhe shtatë kasetat muzikore janë në shqip?! Po nuk marrim një shpjegim logjik. Në të vërtetë, në Himarë, pjesa më e madhe e burrave të ulur në kafene flasin greqisht, por është e pamundur të thuash nëse bëhet fjalë për 4 në 1 apo 4 në 3, aq më shumë kur shoferët, ndërsa shkëmbehen për herë të pestë në të njëjtën rrugë të ngushtë, shahen miqësisht, gjysma greqisht e gjysma shqip.

Shpresat te Berisha, Bollano s’do shkojë në burg

Dhimitri, një i moshuar që e gjejmë në qendër të qytetit, thotë se ata që flasin shqip janë të ardhurit. Ai vetë e ka mësuar greqishten nga nëna dhe në shkollë fillore deri në ‘46 këtu jepej greqishtja si gjuhë. Burri i moshuar thotë me bindje që Bollano nuk do të shkojë në burg. “E pe që Berisha i doli në krah... “Këto janë gjëra arkaike”, - tha, e po foli ai, ashtu do bëhet”, shpjegon i moshuari. Sipas tij, Bollano nuk duhej ta kishte shkelur ligjin, por sidoqoftë për këtë, nuk mund të shkojë në burg. Kur i themi se Himara na duket e varfër, ai rrudh buzët dhe thotë se në fakt, e tillë është ngaqë gjithkush ka ikur prej këtu dhe pjesa më e madhe janë në emigracion. Sidoqoftë, për të fajin të gjithë e kanë “të kuqtë (komunistët) e Vlorës”, që duan të fusin në sherr Berishën me Karamalisin, që vjen në Shqipëri pas ca ditësh. Ai është i sigurt se pas kësaj, gjërat do të rregullohen dhe do të shkojnë më mirë, sidomos tani që po bëhet rruga. E ndërsa kujton këtë të fundit, i moshuari shfryn mllef politik kundër të gjithë ish-kryeministrave që e sollën rrugën deri në Qafë-Llogora, por nuk e çuan më tej. Ai nuk di të shpjegojë pse Petro Marko thoshte të kundërtën e tij për himarjotët, por ia vë fajin faktit që shkrimtari i njohur jetoi shumë kohë larg Himarës dhe ngutet të thotë se më shumë se xhaxhait, duhej t’ia vinim veshin nipit. Kur shoku i tij e korrigjon se në fakt ishte e kundërta, ai i kthehet edhe njëherë politikës, para se ne të ndahemi. “Nëse ka shkelur ligjet e shtetit, të dënohet”, - thotë Zhaneta, një grua rreth të 50-ve, që e takojmë diku në Potam, ndërsa pastron rrjetën e peshkimit. Ajo është nga ata banorë të qytezës së bregut, që pohon se është greke dhe se greqishten ia ka mësuar nëna, por shton se e di që jeton në Shqipëri dhe thotë se u bindet ligjeve të këtij shteti. “Nuk kishte pse i shkulte tabelat”, - thotë ajo, edhe pse gjithashtu nuk është e bindur që Bollano duhet të shkojë në burg. Përkundrazi, Sotir Sava nga Qeparoi që po pret bashkë me të shoqen dhe fëmijët për kartë identiteti, është i bindur se kryetari i bashkisë nuk do të shkojë në burg. Ai ka të njëjtin argument me Dhimitrin, por ndryshe nga i moshuari i përket një fshati shqipfolës, që nuk është fort i lidhur me kryetarin aktual të bashkisë. “Ai e ka lënë pas dore Qeparoin”, - thotë Sotiri, i cili si të gjithë banorët e bregut që në takuam, nuk është dakord me shkuljen e tabelave, por as është i bindur se, në fakt, mund të ketë ndëshkim për këtë. Për Sotirin dhe Ermalin, një 25-vjeçar që ndodhet edhe ky në oborrin e bashkisë, problemi qëndron te pronat. Ata thonë se gjithçka në Himarë është bllokuar dhe zhvillimi ka ngecur, për shkak se çështja e pronave është ende e paqartë. “Kryetari i bashkisë i ka bllokuar të gjithë ndërtimet, sepse kërkon që toka të ndahet sipas kadastrës së vjetër dhe jo ligjit 7501”, - shpjegon Sotiri. Ai thuajse përsërit të njëjtin refren që dëgjojmë në Vuno, ndërsa ulemi në tavolinë me pesë banorë të fshatit. Këtu udhëtuam, pasi përfundimisht mundëm të flisnim me kryetarin e bashkisë, por vetëm në telefon: “E kemi bërë një deklaratë për shtyp për këtë çështje, nuk do të flasim më”, - thotë Bollano në telefon. Ndërkohë, banorët e bashkisë së tij më shumë kanë “frikë” për pronat e tyre, sesa për kryetarin. Mjaft janë të bindur se klane e grupe të fuqishme duan t’ua rrëmbejnë nga duart pasurinë banorëve të bregut.

Çështja nuk është Bollano, por pronat

Himara

Simoni, Irakliu, Pavlloja dhe Leonardi e kanë marrë shtruar, ndërsa rrëkëllejnë raki dhe shikojnë bregun teposhtë rrugës, ku ekskavatorët vazhdojnë të punojnë në zgjerimin e saj. “Rruga mirë që bëhet, por kjo nuk është kryesorja për ne”, - thonë ata njëri pas tjetrit dhe si për t’u mëshuar fjalëve, lëvdojnë shoqi-shoqin sa herë që del një fjali e tillë me ndonjë “hë më, të lumtë”. Për këta pesë burra, nuk ka një çështje “Bollano” dhe nuk ka rëndësi nëse ai dënohet apo jo për shkulje tabelash, pasi kjo është punë e drejtësisë dhe ata nuk duan të merren me të. Tjetër gjë kërkojnë ata të pestë njëzëri: pronën. Jo kështu si e kanë marrë në përdorim, ku ajo, edhe është e tyrja, edhe nuk është, por të gjithën me tapi, që të mund të bëjnë me të atë që ata duan. “Ne këtu kemi mbetur në diktaturë”, thotë njëri prej tyre, duke shpjeguar se për 20 vjet, edhe pse kishin paguar taksat për tokën, toka në fakt nuk ishte e tyrja, sepse ata ende nuk kishin një certifikatë mbi të. Pesë burrat janë të bindur se, në fakt, pas dënimit të kryetarit të bashkisë fshihen të tjera hile dhe që të gjitha kanë të bëjnë me tokat. Ata thonë se prej kohësh ndodhen në mes të dy “zjarreve”: shtetit që ka vendosur 7501-in dhe Bollanos që kërkon kadastrën e vjetër. “Ajo që kërkojmë ne, është që kjo gjë të marrë zgjidhje dhe të dimë se çfarë do të bëhet me ne dhe tokën tonë, të ndahet kjo punë njëherë e mirë”, - thotë Simon Bala. Sipas tij, tani toka është në duart e kusarëve.

Çështja tjetër për ta është e mbyllur. “Ne e respektojmë kryetarin e bashkisë, se e kemi kryetarin tonë, por nëse drejtësia e dënon, ne nuk mund të interpretojmë atë që thotë drejtësia”, - thotë kryeplaku i fshatit Vuno. Po si ai, si shokët e tij kërkojnë që pikërisht kjo drejtësi të zbatohet edhe për tokat e pronat e tyre dhe njëherë e mirë të zbatohet ligji dhe gjërat të shkojnë në vendin e duhur. “Ishim 5 vëllezër dhe tani ajo që më takon mua nga ato që ka lënë gjyshi është shumë pak”,- thotë Pavllo Odiseja, ndërsa bën me dorë për të rrëfyer një ngastër të vogël toke. Sidoqoftë, ai thotë se këtë copë do të donte ta kishte të tijën dhe se pas 20 vjetësh nuk do të donte të ishte më dy herë emigrant. Vunoriotët ndjehen të fyer, tek trajtohen si të huaj nga të gjithë krahët, si grekë në Vlorë dhe alvanozë në Athinë, dhe për më shumë vuajnë braktisjen e shtetit të tyre. “Tirana e ka harruar bregun, ne duam që ata të kujtohen për ne. Sa për gjuhën, ja ku po ta them: ne i kemi zgjidhur dhe i zgjidhim punët në shqip”, thotë Pavllo. Aty për aty, si për të na vënë në pozitë shton: “Nëna ime, gjithë Vunoi, ka paguar faturat e energjisë edhe në ‘97-ën, kur askush në Shqipëri nuk i paguante, dhe unë jam krenar që e kemi bërë këtë, sepse ne e duam këtë vend”. Veç edhe ai, edhe të tjerët në tavolinë thonë se shumica e fshatit merr pension nga Athina, sepse siç thonë: “Kur mbetesh pa nënë, do të duash njerkën”. 

Pjesa II

Llogoraja, përballje me mrekullinë

Llogaraja me mjegull

Do ta keni të vështirë të gjeni në Tiranë një tabelë të shkruar floktore, në vend të parukeri apo permanent, dhe nuk ka asnjë dyshim se gjuha e parë e tiranasve është shqipja. Përkundrazi, në Himarë ku u ndodhëm pak ditë më parë, i vetmi dyqan që ofron këtë shërbim shënohet si i tillë, në fakt në të gjithë qytetin ka vetëm një tabelë greqisht, ajo e një dyqani bojërash përballë bashkisë, e dihet që, sipas kryetarit të bashkisë së zonës, shqipja nuk është fort e pëlqyer nga këto anë.  E ndërsa Bollano u dënua se shkuli nga rruga tabelat e orientimit nga Llogoraja në Himarë, se ishin në gjuhën shqipe, vetë himarjotët nuk duket se e shohin me të njëjtin sy këtë problem.

Në fakt, të parat tabela të shkruara nga njerëz të thjeshtë i hasim diku duke zbritur Llogoranë, kryesisht në anglisht dhe shqip, ku tabelat janë mesazhe propagande politike dhe diku edhe nacionaliste. Por ndërsa je duke zbritur Llogoranë, zor se të shkon mendja shumë te gjuha e tabelave. Mjegulla që u ngjitet shpateve të maleve që ende ruajnë dëborë në maja dhe poshtë tyre, ngjyrat e papërsëritshme të bregut e të detit të lënë pa gojë dhe të heqin prej mendjes njëherësh gjithë pyetjet që mund të kesh qenë duke i bërë vetes për Himarën dhe himarjotët. Në fund të fundit, “dilemat” se ç’janë dhe kujt i përkasin këta njerëz që janë zgjedhur nga Zoti të jetojnë përbri një mrekullie të ngjashme, do të duhet t’i zgjedhin vetë, ndërsa ne kalimtarët mund edhe të mjaftohemi duke u ngopur me frymë dhe fiksuar fort në mendje kombinimin e mbinatyrshëm të gurëve, detit e mjegullës. Kjo duhet të jetë pamja që Petro Marko mbajti mend sa kohë qe gjallë, për të shkruar në fund autobiografinë “Re dhe gurë”.

Kthesat e Llogorasë janë të forta, por rruga deri tani ka qenë bujare dhe në asnjë mënyrë nuk mund të thuash që je lodhur, duke numëruar pishat me forma të veçanta apo shijuar qetësinë që të fal bluja e thellë e detit poshtë këmbëve të tua. Makinën e ndalojmë disa herë, derisa kemi zbritur në fund të shpatit dhe tashmë ecim mes përmes fshatrave të bregut. Rruga e re, që vende-vende ka përfunduar deri në asfaltim dhe në pjesë të tjera është ende në zgjerim e sipër, herë na e lehtëson mjaft dhe herë na e bën më të vështirë udhëtimin, ndërsa presim radhën për të kaluar ekskavatorët apo makinat e tjera të mëdha që po çajnë shkëmbin. Sidoqoftë, edhe pse nuk kemi kaluar në rrugën e vjetër, nuk është e vështirë të kuptosh se përfundimi i punës në këtë aks do ta lehtësojë shumë jetën këtejpari dhe njëkohësisht do të ketë më shumë njerëz që do të mund të shijojnë pamjen e papërsëritshme të bregdetit dhe qytezave të vogla të ndërtuara në shpatet përballë tij.

 Kullat e harruara

Kulle dhe Kishe ne Himare

Llogaraja tani ka mbetur pas dhe prej aty ku jemi mund të shohim vetëm sesi i qepet asaj mjegulla, duke mbuluar e zbuluar sipas rastit majat me dëborë dhe pishat që vigjilojnë në cep të shkrepave në vende, ku askujt nuk i shkon në mendje se mund të qëndronin. Tani, të tjera gjëra të bien në sy, ndërsa u vjen rrotull kthesave e hyn e del nga lagjet e fshatrave të bregut. Në faqe e kodrave janë shtëpitë e Vunoit, që na bien më së shumti në sy e duke qenë se aty ndaluam më gjatë, kemi mundësi të shquajmë format e ndërtesave. Tani, sigurisht që habitemi deri në një farë mase me frëngjitë në vend të dritareve dhe ndërtimet e holla dykatëshe prej guri që u ngjajnë së tepërmi kullave të malësorëve në Veri të Shqipërisë dhe më pak shtëpive njëkatëshe të pjesës tjetër të Jugut.  Dhe jo vetëm ndërtesat, por edhe mënyrat sesi ato lidhen me njëra-tjetrën dhe rrugicat nëpër të cilat duhet të imagjinosh fëmijë që rendin për në det të lënë mbresa të veçanta. Kjo formë e të ndërtuarit dhe mbiemrat shpesh me trajtat e gegnishtes, por edhe besimi i këtushëm është se banorët e bregut kanë ardhur në këtë zonë nga malësitë e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo në njëfarë mënyre dëshmon edhe besnikërinë e këtyre njerëzve që u vunë në shërbim të djalit të heroit. Në fakt, himarjotët sipas Mojkom Zeqos, përmenden edhe më herët në Lidhjen e Lezhës e në beteja si ajo e Torviollit.  Vunoi futet në fshatrat shqipfolës të Himarës dhe ne vetëm duke thënë këtë, i jemi kthyer së njëjtës arsye se përse kemi ardhur këtej. Shqip apo greqisht? Shqiptarë apo grekë? Pyetjet janë të njëjtat prej kohësh, madje edhe për vetë bregasit, të cilët, sidoqoftë, thonë se e kishin zgjedhur këtë punë me kohë. Pavllo Odiseja, një banor i Vunoi, na sqaron ndërsa jemi ulur në kafenë e fshatit, se banorët e bregut i kishin ndarë prej kohësh këto punë dhe kështu kishin jetuar po prej kohësh. “Kjo gjë ka qenë e rregulluar mirë e bukur, me katër fshatra që flisnin shqip e tre greqisht”, thotë ai. Për të dhe për mjaft banorë të tjerë të Himarës, kjo gjë ka pak rëndësi, derisa ata janë vetë të detyruar që mbijetesën ekonomike ta sigurojnë, duke emigruar në Greqi apo përmes pensionit nga shteti fqinj. “Gjithçka është bërë interes”, thotë një i ri nga Qeparoi në dyert e Bashkisë së Himarës, ku ai vetë, ashtu si shumë të tjerë nga këto anë, nuk gjejnë arsye se përse të heqin dorë nga mundësitë për të përfituar nga ana ekonomike, ndërkohë që Tirana i ka lënë krejt në harresë. “Ne kërkojmë që shteti shqiptar të kthejë sytë nga bregu, të na japë pronat”, thotë Irakliu, që po ashtu e takuam në Vuno. Irakliu nuk merr pension në Greqi dhe thotë se kjo nuk ishte zgjidhje, por manipulim dhe ai kërkon nga ana e tij, që zgjedhja të vijë nga Tirana dhe hapi i parë për këtë do të ishte kthimi i pronës për banorët e bregut. Kjo harresë, në fakt, nuk ka filluar tani. Tirana duket se që prej pavarësisë së Shqipërisë nuk ka qenë fort e brengosur për fatin e banorëve të këtyre anëve, që duhet thënë se nuk janë të vetmit të lënë në mëshirë të fatit. “Pastaj edhe në kohën e pavarësisë, himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta”, shkruan Petro Marko, në faqen 51 të autobiografisë së tij. Ndërsa kalon përmes fshatrave të bregut, kjo harresë bie në sy qartë. Mrekullia me emrin Himarë prej vitesh ka pasur vetëm një rrugë teke, ku dy makina do ta kishin të vështirë të këmbeheshin, ndërsa vetë fshatrat 19 vjet pas rënies së diktaturës duken përgjithësisht të braktisur. Pjesa më e madhe e banorëve emigrojnë prej këtej dhe kjo përbën një nga të tjerat habi të këtij vendi, se në fakt, pak burrave do t’u bënte zemra të hiqnin dorë nga një tokë si ajo e Himarës dhe nga një det si ai që lag këto brigje.

Tabelat e Himarës dhe ato të Bollanos

Dhermiu

Himara, si qendër e zonës, nuk është se jeton më ndryshe nga pjesa tjetër e fshatrave. Sidoqoftë, atë e gjejmë më të gjallë dhe aty për aty, na vete mendja tek tabelat. Tabelat si motiv për të udhëtuar 7 orë, ndërsa kemi mbërritur në këtë qytet, na duken tani shumë të kota, para bregdetit dhe pamjes që ofron natyra, por sidoqoftë, aty për aty vihemi në kërkim të tyre. Andej-këndej rrugët janë shkarravitur dhe rishkarravitur me fjalë greqisht e shqip, me bojë të bardhë e të kuqe, por këto nuk është se na bëjnë aq shumë përshtypje, ndofta edhe nga që shkrimi e rishkrimi mbi to i bën një pjesë të tyre të palexueshme, qoftë edhe se gjuha e shkruar shkon krejt përtej asaj pamjeje mahnitëse që na u ngul në mendje, ndërsa u afroheshim këtyre anëve. Kështu që i heqim mënjanë këto shkarravina dhe vendosim të merremi me tabelat pak më serioze, ato që shënojnë dyqanet. Të gjitha, veç njërës janë shqip. Madje edhe firma e bojërave që e ka njoftuar përballë bashkisë në greqisht aktivitetin e saj, në një dyqan të dytë e njofton atë shqip. Asnjë nga banorët nuk është se di të na japë një përgjigje për këtë dhe ndoshta nuk është e thënë që të ketë një përgjigje për këtë, edhe pse në mendjen tonë kjo duket paradoks. Domethënë, Himara ka një kryetar bashkie që kërkon që tabelat e rrugëve që lidhin Vlorën me Himarën të jenë në greqisht, ndërsa qytetarët e këtij qyteti i emërtojnë dyqanet e tyre në shqip. Madje më tej habitemi kur ndërsa kthehemi nga Potami, e për të fshirë imazhin e një ish-stacioni uji të kthyer në kënetë dhe të një ish-spitali të rrënuar, lexojmë tabelën “Floktore” dhe një shigjetë e kuqe që të çon drejt saj pas pallateve. Floktore?! Në Tiranë thuajse e kanë harruar këtë fjalë dhe vajzat e gratë përgjithësisht shkojnë në parukeri. Për ne, ky sigurisht është një zbulim. Dhimitri i moshuar që e takojmë në rrugë pranë librarisë së vetme të qytezës, nuk është shumë i sigurt nëse mund të përgjigjet për këtë punën e tabelave dhe qesh pak si i vënë në pozitë, kur i themi se në Tiranë gjen më shumë tabela në gjuhë të huaj, sesa në Himarë. Fjalët e vunuriotasve, se banorët e bregut prej kohësh kishin gjetur paqen mes shqipes dhe greqisht dhe i kishin përdorur të dyja, na duken tani edhe më fort intriguese. Por, nëse në Himarë (fshat greqishtfolës) bukës i thonë bukë, atëherë çfarë janë himarjotët? Në fakt, për banorët kjo gjë është po aq e komplikuar sa edhe për ne që shkojmë atje. Një pjesë janë të bindur që janë grekë dhe që kanë folur gjithmonë greqisht, të tjerë përkundrazi, që janë shqiptarë dhe se kanë folur gjithmonë shqip. Edhe heronjtë ky vend i ka të ndarë më dysh. Një pjesë si Spiro Miloja u vranë në luftën për pavarësinë e Greqisë, të tjerë si Dhimitër Leka luftuan si shqiptarë, e ky i fundit qe frymëzim i njërës prej poemave më të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Milosaos” së De Radës. Himarjotët sot dhe më herët e kanë pasur të vështirë të pranojnë o njërën, o tjetrën zgjedhje, edhe pse për ta një sherr i tillë për t’u ngjitur medoemos një emër ndonjëherë duket krejt i pakuptimtë. Petro Marko, që lindi dhe u varros në Dhërmi, për të qenë më parë një nga shkrimtarët më të mirë të shqipes dhe një nga luftëtarët e rrallë të lirisë ishte shqiptar. “Qoftë im vëlla Fotoja, qoftë kushëriri im, Jani, i sikterisnim duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë edhe flamurin ditë e natë ngritur në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë nga buron”, shkruan ai në faqen 51 të “Intervistë me vetveten”. Por njerëz që mbajnë të njëjtin mbiemër me të dhe kanë të njëjtin farefis nuk e pranojnë një gjë të tillë. Stavo Marko, gazetar nga Himara, shkruan në blogun e tij (smarkos.blogspot.com), se janë gazetarët shqiptarë që ia ndryshojnë origjinën greke shkrimtarit, ndërsa vetë mbron “kauzën” e Vorio-Epirit. Rruga e kthimit është e lodhshme, si je i detyruar të lësh pas gjithë bukuritë që ofron bregu i detit dhe të mbetesh po aq i pështjelluar për pyetjet që kishe ngritur në fillim. Ndoshta e vetmja përgjigje e qartë, ishte ajo që na tha para se të ikim një banorw i Vunoit: “Nga këto anë misrit i thonë misër, jo si diku në Veri, ku i thonë kallamoq (fjala greqisht)”. 

 

 

Read More......

2009-04-25

“Dorëzohet” Vlora, TEC-i dhe “Petrolifera” fillojnë punë


Vladimir Karaj/ Korrieri

Katër vjet më parë, më 6 maj 2005, kryeministri Sali Berisha u premtoi vlonjatëve dhe ambientalistëve, se në Vlorë nuk do të kishte TEC, por dje e në vazhdim punëtorët shqiptarë, italianë e turq po i japin dorën e fundit këtij TEC-i, që pritet t’i emetojë tymrat e parë pikërisht gjatë këtij sezoni turistik. Thuajse në të njëjtën kohë, në Vlorë pritet të fillojë punë edhe “Petrolifera”, objekti tjetër i kundërshtuar nga qytetarët dhe që u ndërtua me gjithë kundërshtimin. Vetë Vlora duket se e ka pranuar tashmë fatin. Në zyrat me xhama të thyer të Aleancës Qytetare lexohet qartë tabela “Mbyllur”, ndërsa në rrugë vlonjatët thonë se janë të pafuqishëm për të ndaluar fillimin e punës të dy projekteve, që sipas abientalistëve rrezikojnë seriozisht mjedisin dhe turizmin e Vlorës.

“Do të bëhet ajo që do Berisha, ne nuk e duam, por ajo do të bëhet”, na thotë një fotograf, ndërsa pret klientë pranë monumentit që shënon ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Vlora duket se po pret në heshtje fillimin e punës në dy projektet e mëdha industriale dhe nga lartësitë e saj tashmë mund të shquhen turbinat dhe njëkohësisht edhe oxhaku i TEC-it. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, (Korporatës Energjetike Shqiptare) Gjergj Bojaxhi, thotë për “Korrierin”, se turbina e TEC-it pritet të fillojnë punë në fund të qershorit, ndërsa drejtori i përgjithshëm i “Petroliferës”, Gazmend Shalsi, tha se kjo e fundit do të fillonte punë që në fund të muajit maj.

Të dy projektet, bashkë me atë të tubacionit të naftës “Ambo”, janë kundërshtuar ashpër nga aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dhe qytetarë të Vlorës, që pretendojnë se të dy do të dëmtojnë, madje kanë dëmtuar tashmë mjedisin e Gjirit të Vlorës dhe rrezikojnë seriozisht ekosistemin e këtij gjiri. Por dy ditë më parë, ndërsa punëtorët e TEC-it dhe ata të “Petroliferës” punonin në projektet që tashmë dallohen qartë dhe kanë marrë formën përfundimtare, askush nuk ishte aty për të protestuar.

“Quajeni dorëzim po të doni, unë e quaj zmbrapsje të përkohshme të lëvizjes. Ishte një ndeshje krejt e pabarabartë: nga njëra anë kompani multimilionere, Banka Botërore, qeveritarë e bashkiakë servilë ose të korruptuar, me një sistem të dhunshëm policor, siç e treguan disa herë vjet nga janari në prill - nga ana tjetër një ndërgjegje qytetare në fillesat e vetëdijesimit, me organizim dhe kontribute spontane, me parimin e vullnetarizmit, pa asnjë financim nga jashtë, shpesh edhe me përçarje të brendshme”, thotë Ardian Klosi, një nga aktivistët kundër ndërtimeve të kësaj natyre në gjirin e qytetit bregdetar.

Nga ana e tyre, ndërtuesit e këtyre projekteve i kanë mbrojtur ato, duke cilësuar teknologjinë e tyre të përparuar dhe sigurinë të lartë për të vënë në rrezik mjedisin. Në një intervistë të hershme për mediat, zoti Shalsi cilësonte ngritjen e “Petroliferës” mjaft pozitive, duke thënë se përkundër asaj që thuhej, ajo do të neutralizonte rrezikun që vinte nga shkarkimi i naftës jashtë çdo garancie teknike në vende si porti aktual i qytetit. “Petrolifera”, që ndërtohet në një pjesë të zonës së bregdetit të zënë më parë nga Fabrika e Sodës Kaustike, do të shërbejë si port shkarkimi dhe depozitimi të naftës dhe gazit. Ndërtuesit e saj thonë se ajo nuk do të prodhojë ndotje, por qoftë kjo qoftë pretendimi i ambientalistëve dhe frika e vlonjatëve mbeten ende në nivel hipotetik. Ambientalistët janë të sigurt se aty ka naftë, ndotja është e pashmangshme, dhe ata e argumentojnë këtë me vende të ngjashme ku bëhet e njëjta procedurë e ngarkimit dhe e shkarkimit të naftës apo nënprodukteve të saj dhe sipas tyre, rrjedhja është e pashmangshme dhe për shkak se Gjiri i Vlorës është i mbyllur, ndotja e tij do të jetë e dukshme.

Lavdosh Feruni, i kontaktuar me telefon nga gazeta, thotë se tashmë lëvizja ambientaliste do të vëzhgojë dhe ndjekë me imtësi punën në të dy këto objekte. “Ajo që do të bëjmë, është të masim parametrat e ndotjes dhe t’i krahasojmë me atë që është premtuar. Nëse ndotja do të jetë më e lartë, atëherë do të protestojmë për të ndaluar punën e këtyre objekteve”, thotë ai. Kontroll do të ushtrohet sipas tij edhe për naftën që do të përdoret në TEC. 

Feruni gjithashtu paralajmëron, se energjia e prodhuar nga TEC-i do të ketë kosto shumë më të lartë, për shkak të çmimit të lëvizshëm të naftës dhe se TEC-i rrezikon të dalë me humbje. “Ne do ta ndjekim me vëmendje dhe në rast se kjo rezulton e vërtetë, atëherë do të kërkojmë mbylljen e TEC-it”, thotë Feruni. Ai dhe të tjerë kundërshtarë të projekteve thonë se vendi ku është ngritur TEC-i ishte një zonë arkeologjike dhe përkundër rregullave, institucionet që duhej të kontrollonin në vazhdimësi punën gjatë ndërtimit të TEC-it dhe të bllokonin atë nëse do të hasej në objekte arkeologjike, nuk e kanë kryer detyrën e tyre. “Gjithçka është lënë në dorë të firmës së ndërtimit dhe askush nuk mund të thotë nëse janë gjetur apo jo objekte me vlera arkeologjike në këtë zonë”.

Në fakt, rruga që të çon për tek TEC-i e që kalon përmes Pyllit të Sodës, është thuajse e shkretë dhe peizazhi apo edhe fama e pyllit nuk është se janë joshëse. Pak më tutje, ngrehinat e rrënuara të ish-Fabrikës së Sodës duken e bëjnë pamjen edhe më të rëndë dhe deri më sot askush nuk ka menduar për ta pastruar këtë pjesë të qytetit prej tyre. “Petrolifera” fillon pikërisht këtu, por zë vetëm një pjesë të zonës, që dikur ka qenë e mbushur me mbetje të sodës. Ajo përfshin vetëm pjesën e bregut të detit dhe pamja e depozitave të naftës e gazit me gjithë shkëlqimin e tyre, është në një farë mase dëshpëruese në mes shkretëtirës prej betoni që ka rrënuar këtë pjesë të bregdetit, që përfundimisht nuk mund të quhet më i tillë. TEC-i ndodhet pak metra më tutje. Mes tij dhe “Petroliferës” është Triporti, një port i vogël peshkarexhash, që i bashkëngjitet portit të naftës në ndërtim dhe pjesës ku po shtrohen tubacionet e TEC-it. Të tre objektet zënë një pjesë të madhe të bregut të detit, e ndërsa “Petrolifera” dhe Triporti mbulohen nga ngrehinat e ish-sodës, TEC-i gjendet në një zonë plazhi. Vlonjatët thonë se ajo nuk ka qenë një zonë shumë e frekuentuar, për shkak të rrugës së keqe që të çonte atje dhe namit që kishte Pylli i Sodës pas 1997-ës. Tani mund të thuhet që ajo do të vazhdojë të mbesë e pafrekuentuar. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së plazhit ranorë është zënë nga TEC-i dhe në dukje mund të thuhej që tani se askush nuk do të vijë më për të bërë plazh në këtë zonë. Vetëm oxhaku mjafton për të penguar vizitorët e mundshëm. Katër vjet më parë, kur ne vizituam për herë të parë këtë zonë, menjëherë pas portit të peshkatarëve, ajo ende kishte dukjen e një plazhi të pastër dhe të bukur rëre, pak ditë më parë ajo ishte e rrethuar me tela, tuba të mëdha betoni dhe makineri pune që po i jepnin fund njëherë e mirë plazhit në atë zonë, duke zaptuar një hapësirë aq sa mund të shihet mirë nga syri i njeriut.

Edhe pse bëhet fjalë për investime goxha të mëdha në para, qytetarët e Vlorës ndjehen “të frikësuar” për të mos thënë të dëshpëruar nga ajo që po ndodh pak kilometra nga qyteti i tyre. Frika se pavarësisht premtimit ndotja do të jetë e madhe, i bëri ata që të merrnin pjesë në disa protesta, të zhvilluar në një periudhë kohe që përkon që me hedhjen e ideve për ngritjen e dy objekteve, por edhe fjalët për shtrirjen në këtë zonë të tubacioneve të “Ambos”, që sidoqoftë nuk mundët të ndalonin fillimin e ndërtimeve. Para zgjedhjeve të 2005-ës, kryeministri Berisha, atëherë kreu i opozitës, u premtoi ambientalistëve se do t’i zhvendoste këto projekte nga zona e plazhit. “Unë them të largohemi nga zona turistike. Hajde ta përcaktojmë zonën se ku është e përshtatshme. Tani të gjitha përpjekjet janë përqendruar në një pyll, që nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse një park për fëmijët dhe qytetarët e Vlorës. Ndaj dhe do ta mbyll këtë, duke ju falënderuar edhe një herë dhe duke ju siguruar se zëri juaj do të ketë përparësi të madhe, se mjedisi dhe mbrojtja do të jenë përcaktuese për të gjitha të tjerat. Ky është zotimi ynë”, tha atëherë Berisha. Katër vjet më vonë ai pritet të jetë prezent po ashtu pak kohë para se të zhvillohen zgjedhjet, për të përuruar fillimin e punës në turbinat e TEC-it që ka prekur një pjesë të pyllit dhe i ka hequr Vlorës një copë të madhe plazhi e deti, ndërsa rrezikon të dëmtojë turizmin.

Pas më shumë se 5 vjetësh përpjekje për të ndaluar ndërtimin e këtij TEC-i dhe objekteve të tjera industriale në bregdetin e Vlorës, qyteti dhe ambientalistët duket se i janë dorëzuar fatit dhe vetëm shpresojnë se premtimi i dytë i kryeministrit se ndotja do të jetë e ulët, “sa 500 makina të reja që lëvizin në qytet”, të jetë i vërtetë. E nëse qytetarët e Vlorës dhe ambientalistët “humbën”, industrialistët janë ata që kanë fituar dhe kanë ndërkohë të tjera projekte të gatshme, gjithaq të kundërshtuara, veçse tani jo vetëm në Vlorë, por pothuajse në të gjithë bregdetin, që fillojnë me një TEC qymyri në Durrës dhe përfundojnë me një central bërthamor gjetkë.

“Pyetja është: po a është vërtet ndonjë fitore e madhe, fitorja e bizneseve të naftës? Vlonjatët do ta shikojnë vetë sesi do të ndryshojë cilësia e mjedisit, e plazheve dhe e detit, e jetës së tyre me vënien në funksionim të TEC-it, “Petroliferës” dhe projekteve të tjera që do t’i ndjekin. Atëherë ndoshta do të shkunden me të vërtetë, edhe nga gjithë Shqipëria do t’i ndihmojnë kushedi njerëz më të zotë e më të fuqishëm seç ishim ne, që rezistencën, mesa duket, e çuam nga viti 2005 në 2008, por jo më tej”, thotë Klosi. 

Read More......

2009-04-21

Shpella e Zezë, aty ku “filloi” njerëzimi

Paraardhësit tanë 10 mijë e më shumë vjet më parë uleshin në hyrjen e kësaj shpelle për të mprehur armët e tyre prej guri dhe ndarë mishin. Ata sapo kishin mësuar të ndiznin zjarrin. Ne sot nuk mund të bëjmë më shumë se të imagjinojmë jetën e tyre në Shpellën e Zezë (Pëllumbasit), rreth 25 kilometra nga kryeqyteti në të majtë të luginës së Erzenit, ndërsa pushojmë në të dalë të saj duke lexuar gazetën që kemi marrë me vete. Themi imagjinojmë sepse shpella zor se t’i rrëfen të fshehtat që “ka ruajtur” për mijëra vjet.

Gjurmët që njerëzit e parë mund të kenë lënë në të ajo i ka mbuluar ngadalë, ndërsa arkeologët që e kanë zbuluar vonë ende nuk mund të thonë shumë për jetën që është bërë aty edhe pse në shpellë janë gjetur shenja të saj. Tani për tani të vetmet histori që mund të mësosh në hyrje dhe më thellë në muret prej guri gëlqerorë janë ato të të dashurve që si kanë kaluar andej kanë shkruar me çfarë kanë pasur mundësi emrat e tyre, duke u dhënë ngjyrë artificiale asaj që natyra kishte krijuar prej mijëra vjetësh. Behar Duqi, udhërrëfyesi, roja dhe kujdestari i shpellës na tregon se si më 1992 kur ishte ende 17 vjeç kishte hyrë këtu për herë të parë sëbashku me një kushuri. “Im atë nuk e besoi që kishim dalë në fundin e saj, ai dhe njerëzit këtu mendojnë që shpella është e pafund”, thotë ai.  Edhe pse Duqi dhe një kushëri i tij kanë hyrë në shpellë më 92’, ajo e fundit është vizituar për herë të parë nga speleologët vetëm më vitin 1995, për t’u shënuar kështu në hartën botërore të shpellave karstike përkrah vetëm 5 simotra në të gjithë Evropën...

Skorana!!!

Në Pëllumbas, fshatin që i jep emrin shpellës dhe në të cilin duhet të kalosh për të shkuar drejt saj, arritëm aty rreth orës 9 të mëngjesit. Në fakt ne ishim nisur më herët. Autobusi i parë që të çon në fshat niset nga Tirana në 7 pa 10 të mëngjesit dhe i dyti vetëm në 5 pasdite, kështuqë ne duhej të zgjidhnim të parin për të pasur kohë të shihnim shpellën.

Përndryshe nga sa e kishim paragjykuar, autobusi një nga ata që përdoreshin më parë në unazën e kryeqytetit, u nis fiks në orarin që thuhej, por përkundër fjalëve të faturinos: “Po, po ky të çon në Pëllumbas”, ai na la në mes të rrugës për në Elbasan në degëzimin që të çonte në fshat.

In the  Black Cave

Këtu në fakt duhej të prisnim për një autobus tjetër që do të na çonte deri në fshat, mirëpo ne duke mos qenë aq të duruar vendosëm të hipim në të parin furgon që kalon aty. Shoferi thotë që edhe ky shkon në Pëllumbas, kështu që ne rehatohemi ndërsa nga dritarja humbin e shfaqen kodrat e buta që rrethojnë kryeqytetin dhe që shkëlqejnë nën diellin e sapo lindur të mëngjesit. Furgoni ndalon dy apo tre herë rrugës për të marrë apo lënë pasagjerë, ndërsa kemi lënë asfaltin dhe ndodhemi në një rrugë dheu që fillon të gjarpërojë mbi minierat e Kërrabës dhe vendin ku ruhet thesari i shtetit. “Ai që u vodh”, na thotë faturino si ka marrë vesh që jemi gazetarë, ndërsa kemi mbërritur mbi kanionin që ndan Krrabën nga Pashkasheshi. Pikërisht këtu faturinoja dhe shoferi kujtohen që kanë harruar të na thonë se Pëllumbasi ka mbetur diku pas kthesave rreth 20 minuta më herët. Ata po shkojnë në Kllojkë, atje ku dëbora ende nuk ka shkrirë. Prej ku jemi mund të shohim se si ajo u jep ngjyra laramane maleve në horizont. Shoferi na thotë se nuk duhej të alarmoheshim edhe pse makina e tij nuk po ndalonte dhe ne vazhdonim t’i largoheshim destinacionit. “Do t’iu gjejmë një makinë për tu kthyer pas”, na thotë. Ne fundit fare veç kohës së humbur asgjë tjetër nuk na shqetëson. Shoferi ndalon afër një guroreje dhe si ndërron fjalë me disa burra që ndodhen buzë rrugës na siguron vend në një nga IFA-t që bëjnë trasportin e gurë për në kryeqytet, pastaj na thotë se e kemi falas xhiron deri në Pashkashesh dhe largohet bashkë me të tjerët për në fshatin e tij me dëborë. Tre burrat që i premtuan vend në kamion janë punëtorë të gurores dhe thonë se janë vendalinj.

Emri i fshatit të tyre duhet të vijë nga sheshi i pashkëve, por të gjithë janë myslimanë, ndërsa nuk ka asgjë nga ato që gjen në Ishullin e Pashkëve.  Sidoqoftë ne e gjejmë intersant emrin e fshatit që shtrihet në shpatin e një kodre të butë rreth 800 metra mbi detë, ku pranvera sapo u ka dhënë ngjyrë arave dhe oborreve, ndërsa në qetësinë e mëngjesit dëgjohen të thërriturat e një banori që nguc kafshët me të cilat po punon arën. Kishim mbërritur këtu rastësisht, por mund të kënaqeshim, qoftë edhe me emrin e sapo mësuar dhe me pamjen emocionuese të arave që shkëlqejnë ndërsa dielli thyhet në vesën e mëngjesit. Pashkasheshi një fshat i vogël, që vazhdon të zvogëlohet nga migrimi i brendshëm nuk është nga ata që të lënë indiferent. Kamioni i parë erdhi pas ndonja 15 minutash dhe shofei u tregua i gatshëm të na kthente pas deri në Pëllumbas. Rruga qe më e lehtë dhe sigurisht tashmë ishim më të sigurtë se do mund të shkonim në destinacion.

“Vazhdo drejt përmes fshatit dhe pyet aty, po ta tregon vetë rruga për nga shkohet në shpellë”, na thotë shoferi pasi na ka zbritur në hyrje të Pëllumbasit. Për fatin tonë të mirë nuk na u desh që të pyesnim shumë dhe as të bënim hamendësime. Si kemi mbërritur në qendër të fshatit dhe kemi ndarë mendjen të pimë një kafe në lokalin e tij, takojmë njeriun e duhur. Behar Duqi qëndron këtu në pritje të vizitorëve për në shpellë. Një njeri që e njeh mirë fshatin e tij nuk do shumë të kuptojnë që ne jemi të ardhur dhe pas dy tre fjalëve të para na thotë se ai është i ngarkuari me punë për shpellën. Tani po që mund ta pinim të qetë kafenë, mirëpo nuk kishte drita dhe ajo s’do mund të bëhej.Takimi me Beharin sidoqoftë i përmoirësoi planet tona. Kishim një udhërrëfyes dhe nuk do ecnim kuturu. Përsëpari sipas këshillës së tij u pajisëm me elektrikë dore dhe ujë dhe dy minuta më vonë ishim në marshim drejt Shpellës së Zeza.

Rruga është një “shteg dhish” që kalon përmes një pylli shkozash dhe pak kohë më parë e meritonte këtë emër edhe për nga niveli i vështirësisë për të kaluar në të. Tani ajo është zgjeruar nja dy tre pëllëmbë dhe vendet e vështira janë sheshuar nga Behari dhe punëtorë të komunës duke e bërë më pak të rrezikshme dhe më të lehtë udhëtimi dhe të shijuarit të pamjes së papërsëritshme të luginës së Skoranës dhe shkrepave përrreth. Behari është marshues i shpejtë dhe herë herë na duhet ta ndjekim me vrap. Sidoqoftë është një udhërrëfyes i mirë dhe i di përmendësh vendet nga ku mund të shihet më mirë Erzeni teposhtë në luginë ose majat përtej. Gjatë gjithë kohës nuk pushon sëfoluri për shpellën dhe historinë e saj, por edhe për vendin ku jemi duke shkelur. Duke ndaluar herë këtu dhe herë atje ai na tregon për atë që e quajnë “Syri i Kaltër” i Erzenit, një llixhë dhe një gurrë uji dhe pamja e të cilave mund të të lënë pa mendje. Është i bindur që në maja ka shqiponja veç skifterëve e hutave, por ne patëm rastin të shihnim vetëm sorrat dhe pëllumbat e mëdhej e të egër që i kanë dhënë emrin fshatit.

35-40 minuta pasi ishim nisur nga Pëllumbasi ne ndodheshim më në fund para hyrjes së Shpellës. Rrugës ndërkohë kishim mundur të shijonim paqen që të fal të udhëtuarit në mes të një pylli, ku mund të dëgjosh lehtë këngën e zogjve madje dhe të kapësh nuancat mes asaj që këndon njëri apo tjetri lloj, dhe kishim pasur kohë të mahniteshim me format e shkrepave apo ngjyrat e një fshati të braktisur matan digës që i është vënë Erzenit për të mbledhur ujin për vaditje. Hyrja e shpellës nuk është aq fort impresionuese, ndoshta përfaj të zhgarravinave me emra dhe shenja që ndodhen në ballë të saj dhe që të heqin në një farë mënyre ndjesinë e eksploruesit. Por pasi kemi kaluar pragun dhe është bërë e nevojshme të ndezësh elektrikët e dorës dhe të ecësh në tokën e butë që duket se mund të rrëshkasë nga momenti në moment fillon vetvetiu të bëhesh i vëmendshëm ndaj mureve që hapen valë valë deri sa zgjerohen në 35 metra (maksimumi) dhe tavanit që ngrihet deri në 40 metra duke krijuar holle të pashoqe që zbukurohen me stalaktite që zbresin nga çatia e shpellës dhe stalakmite që ngrihen nga fundi i saj.

Astonished from stones...

Si je brenda ndjen menjëherë se ke humbur kontaktin me diellin dhe të duhet të vishesh. “Kur të të jenë mësuar sytë do shohësh që mund të ecësh edhe pa nevojën e dritës”, na thotë Behari. Ai sqaron se pritet që një specialist të ndihmojë në heqjen e shgarravinave të mureve dhe se prej kohësh në shpellë nuk kishte më shgarravina të reja. Ky burrë që prej dy vjetësh është punësuar si kujdestarë i shpellës duket se është lidhur fort me strukturat që krijohen nga pikla të vogla uji që bien njëra mbi tjetrën në fragmente kohohe të sakta duke krijuar zhurmën e dytë të famshme të një shpelle pas të këlthiturës së lakuriqëve të natës. Si kemi hyrë Bahari zë e na tregon me nge kollonat e krijuar në shekuj nga piklat e ujit dhe ato që vazhdojnë të ngrihen duke i dhënë shpellës pamje të mbinatyrshme. Banorët e Pëllumbasit prej shekujsh ka besuar se gjithçka këtu ishte mbinatyrore. Behari na tregon ndërsa endemi në shpellë besimin e vjetër se ajo nuk kishte fund e pak më vonë historinë e maces sëcilës si i vunë këmborë e lanë të shkonte mes përmes shpellës për të dalë në krahun tjetër dhe thonë se macja kishte dalë diku larg në një fshat përtej malit. Në fakt shpella është matur dhe thuhet që ajo është rreth 300 metra. Por 300 metra mes guvash, kollonash dhe stalkatitesh të panumërta të krijuara në mijëra vjet histori, janë një xhiro që duket e pafund. Behari na prezanton me dy gërmimet e arkeologëve. Dy gropa të hapura në dyshemenë e shpellës, ku lehtë duken shtresat e ndryshme që njëkohësisht përshkruajnë edhe epoka të ndryshme kohore. “Këtu u gjetën kocka të një ariu”, thotë Behari, pa e ditur që bëhej fjalë për ariun e shpellave një specie që ka jetuar më shumë se 10 mijë vjet më parë, ndërsa na shpjegon mëtej se arkeologët do të ktheheshin përsëri. Ata kishin gjetur në shpellë enë dhe vegla pune që dëshmonin se njerëzit kishin jetuar aty mijëra vite më parë. E ndërsa zhytemi më tej në errësirë si kemi kaluar pa mundur të shohim konturet e zonës më të lartë të shpellës pamjet e gurëve gëlqerorë në formim e sipër bëhen edhe më fatazmagorike.

Dikund ato janë të rrumbullakëta dhe të latuara, diku tjetër plot cepa dhe zgavra që duket se imitojnë pamjen e përgjithshme të shpellës. Fatkeqësisht në dy a më shumë raste njeriu ka ndërhyrë duke thyer një pjesë të stalaktiteve dhe stalakmiteve duke lënë në gjysëm një punë që kishte nisur qindra vite më parë. Këto copa të thyera na duken për një moment si gjymtyrët e një specie të çuditshme që gjallon paprerë në thellësi të tokës. Behari thotë se të gjitha mrekullitë që hasim kanë emra. Diku ai na tregon binjaket dy stalakmite të ngritura një bojë njeriu nga toka dhe diku tjetër “Mbretëreshën e Shpellës”, një stalaktit dhe një stalakmit me bazë të ngushtë që vijnë duke u zgjeruar. Sipas Beharit koka e stalakmitit i ngjan asaj të Deas. Por ne nuk na duket kështu edhe pse përfundimisht bindemi që atmosfera në shpellë është ajo e një muzeu herojsh bustet dhe shtatoret e të cilëve janë vërtetë madhështore por të mbetura pa emra ngase ndodhen aty prej kohësh që njeriu nuk mund t’i mbajë mend.

Elektrikët tonë dolën që nuk punonin edhe aq mirë dhe drita e tyre ishte mjaft e zbehtë për të ndriçuar mjaftueshëm, kështuqë ndërsa i largohemi hyrjes, ndriçimi na bëhet mjaft problematik edhe pse na jep mundësi të shohim aq sa të mund të ecim dhe të shohim nga afër pamjen e një tjetër “krijese” të mbinatyrshme. Behari thotë se ajo i ngjan një kafke nga afër dhe nga larg përkrenares së Skënderbeut, ne biem dakord edhe pse nuk jemi në gjendje të dallojmë fort mirë ngjashmëritë qoftë me të parën qoftë me të dytën, madje edhe pasi udhërrëfyesi unë na ka treguar “brirët” dy stalakmite që rriten të veçuar në kokë të të madhit...

Si kemi mbërritur fare pranë fundit drejtuesi unë vendos të kthehemi. Pak më tutje tavani është plot me lakuriqë dhe që tani ne mund të dëgjojmë klidhjen e tyre që me apo pa frikë të ngjeth mishin. Sidoqoftë arsye se pse po kthehemi është se pak më tej errësira është e plotë dhe vendi i rrëshkitshëm. Ne i besojmë udhërrëfyesit dhe kthehemi nëpër shpellë, por pa pasur mundësi të shkelim në të njëjtat vende duke u dalë në krahë të ndryshëm kollonave dhe duke shkelur me kujdes në dheun e butë të shpellës. Tani vërtetë që mund të shohim më mirë dhe sytë, përfundimisht të mësuar me errësirën arrijnë edhe të shquajnë tavanin e lartë të shpellës që se pamë kur hymë. Tani është drita që vjen nga hyrja që na i bezdis sytë. “Ju thashë”, thotë Behari dhe vazhdon të udhëheqë i sigurtë duke na kërkuar herë të ulim kokën herë të kujdesemi për gropat...

Sërisht jashtë ne mund t’i gëzohemi përsëri dritës dhe gjelbërimit dhe të dëgjojmë të njëjtën melodi zogjsh. Tani ulemi për të pushuar në një nga stolat e vënë enkas për ata që vijnë në shpellë pak metra nga hyrja e saj dhe i kënaqemi për pak minuta panoramës dhe mund të lëshojmë fantazinë. Si mund të kenë jetuar këtu të parët tanë? Si e quanin ata shpellën?

Marrim rrugën e kthimit dhe Behari kujtohet ndërkohë për një histori me barinj që në verë mbyllnin bagëtinë në shpellë. “Dy net rrjesht ata e gjetën portën të hapur dhe bagëtinë të shpërndarë në pyll, të tretën vendosën të përgjonin”, tregon ai. Dhe pikërisht ditën e tretë barijtë hasën me një qenie që gjetën duke pastruar shpellën. Udhërrëfyesi nuk i vë emër asaj, xhind apo fantazëm, vetëm thotë se ajo u kishte thënë barinjve të mos ktheheshin më. Legjenda thotë se prej asaj kohe ai vend nuk u përdor më për të mërzyer bagëtitë, por njerëzit u futën aty saherë që pati luftë, madje në të është futur e gjithë Bërzhita në Luftën e Dytë Botërore sipas rrëfyesit tonë. Ai tani vendos të nxitojë i duhet të jetë në kohë në vendin e tij për të pritur të tjerë vizitorë dhe ne ende nuk kemi mbërritur tamam në fshat kur ai shquan autobusin. Kur i takojmë mësojnë se janë gjimnazistët e Sami Frashërit, që do duan të shikojnë shpellën dhe ushqejnë fantazinë me pamjen përrallore të stalagmiteve dhe stalaktiteve e ndoshta të meditojnë për mënyrën se si kanë jetuar të parët.  

 Botuar ne Korrieri

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Read More......

Video Bar

Loading...